Një përplasje që nisi si debat verbal në një lokal në Deçan ka përfunduar me therje me thikë dhe dërgimin e një të riu në spital, raporton Gazeta Sinjali.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi pasditen e 30 majit, kur një konflikt mes një klienti dhe kamerierit doli jashtë kontrollit.
Sipas informacioneve të siguruara, Elton Shala dyshohet se pas një zënke me kamerierin e lokalit, ka nxjerrë thikën dhe e ka goditur dy herë në dorën e majtë viktimën Q.K.
Pamjet në vendin e ngjarjes kanë alarmuar të pranishmit, ndërsa viktima është dërguar fillimisht në QKMF-në e Deçanit dhe më pas me autoambulancë në Spitalin Rajonal të Pejës për trajtim të mëtejmë mjekësor.
Sinjali mëson se pas incidentit, i dyshuari është paraqitur në Polici, ku ka pranuar se kishte qenë i përfshirë në konfliktin që përfundoi me përdorimin e armës së ftohtë.
Rasti ka mobilizuar hetuesit policorë, ndërsa i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është iniciuar procedurë për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
I dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!