Një konflikt fizik në Shtime ka përfunduar me lëndimin e një personi, i cili pas trajtimit fillestar është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ndërsa i dyshuari ka përfunduar në ndalim policor.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se i dyshuari është Mergim Fadil Avdyli (27 vjeç), ndërsa viktimë është F. Ruhani.
Sipas informacioneve, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 27 korrikut, rreth orës 22:00, në rrugën “Imer Devetaku” në Shtime.
Pas raportimit për një rrahje, në vendin e ngjarjes kanë dalë patrullat policore dhe hetuesit, të cilët kanë shoqëruar në stacion policor Mergim Avdylin.
Ndërkohë, i lënduari F. Ruhani është transportuar fillimisht në Emergjencën e Shtimes, më pas në Spitalin Rajonal të Ferizajt dhe, për shkak të gjendjes së tij, është transferuar për trajtim të mëtejshëm në QKUK.
Pas intervistimit të të dyshuarit, në prani të avokatit mbrojtës, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa Mergim Fadil Avdyli është ndaluar për 48 orë.
Hetimet lidhur me rrethanat e incidentit janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!