Një mosmarrëveshje në komunikacion ka përfunduar me lëndime të rënda trupore për një qytetar në Mitrovicë, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Ngjarja ka ndodhur të premten pasdite në rrugën “Isa Boletini”, ku dy drejtues automjetesh janë ndalur pas një mosmarrëveshjeje në trafik për të sqaruar situatën.
Sipas burimeve të Sinjalit, debati mes tyre ka eskaluar dhe njëri prej personave, Seid Rahova, dyshohet se e ka shtyrë A. G.
Si pasojë e shtyrjes, viktima është rrëzuar në asfalt dhe ka pësuar lëndime serioze në këmbën e djathtë.
Fillimisht ai është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Mitrovicës së Veriut, ndërsa më pas është transferuar në Mitrovicën e Jugut për trajtim të mëtejmë dhe intervistim nga hetuesit.
Ndërkohë, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor dhe është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është cilësuar si “Lëndim i rëndë trupor”, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Hetimet për rastin janë duke vazhduar.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!