Një konflikt mes familjarëve në fshatin Krivenik të Hanit të Elezit ka përfunduar me të lënduar, kërcënime me armë zjarri dhe arratisjen e katër të dyshuarve, raporton Sinjali.
Sinjali mëson ekskluzivisht se të dyshuarit janë Fisnik Thaqi, Besnik Thaqi, Kaltrin Thaqi dhe Shkëlqim Thaqi, ndërsa viktima janë R.Th, 20 vjeçar dhe B.Th, 43 vjeçar.
Sipas burimeve të Sinjalit, ngjarja ka ndodhur pasditen e 18 korrikut, rreth orës 19:00, derisa dy viktimat po lëviznin me traktor për të kontrolluar pronat e tyre malore.
Në një moment, ata janë takuar me katër të dyshuarit, ku sipas burimeve, Fisnik Thaqi dyshohet se kishte me vete një armë zjarri, të cilën ia kishte drejtuar Basri Thaqit, duke e kanosur.
Më pas, sipas dëshmitarëve, katër të dyshuarit dyshohet se kanë sulmuar fizikisht Remzi Thaqin, duke e goditur me grushte dhe shkopinj, ndërsa Fisnik Thaqi dyshohet se e ka goditur edhe me tytën e armës në kokë, duke i shkaktuar lëndime.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se kur Policia ka shkuar në shtëpitë e të dyshuarve, ata nuk janë gjetur, ndërsa gjatë bastisjes nuk është lokalizuar arma e zjarrit që dyshohet se është përdorur gjatë incidentit.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Kanosje me armë”.
Katër të dyshuarit mbeten në kërkim, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!