Një ndër emrat e njohur për organet e rendit, për shkak të të kaluarës së tij kriminale, ka rënë së fundmi në prangat e Policisë së Kosovës. 46-vjeçar i dyshuar është arrestuar gjatë ditës së djeshme në Prishtinë dhe tashmë ndodhet në ndalim policor, nën dyshimet për armëmbajtje pa leje, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Salih Sekiraqën, i cili edhe më parë është prangosur për të njëjtën vepër.
Sekiraqa është ndaluar mëngjesin e së enjtes, në rrugën “Isa Kastrati” në Prishtinë, pasi Njësia e Reagimit të Shpejtë e ndaloi nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.
Pas kontrollit policor, atij iu gjet një sprej, që u sekuestrua nga zyrtarët policorë, teksa i njëjti është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me veprën me të cilën ngarkohet.
Ndaj tij, pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor.
Kujtojmë se Sekiraqa është përfshirë edhe më parë në veprimtari kundërligjshme dhe ka qenë objekt hetimi nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, për shkak të veprave penale “Lëndim i rëndë trupor” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll dhe posedim i paautorizuar i armëve”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.