Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e së martës në fshatin Koshare të Ferizajt, ku një grua është gjetur pa shenja jete në një bunar, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se viktima është N.J rreth 71-vjeçare.
Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, Hetimet Rajonale në Ferizaj janë njoftuar nga Qendra Operative për rastin, ndërsa menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes së bashku me njësinë e Forenzikës.
Bazuar në deklaratat e dëshmitarëve, dyshohet se 71-vjeçarja ishte hedhur në bunar. Familjarët janë përpjekur ta nxjerrin, por nuk kanë arritur, çka ka bërë që të kërkohet ndërhyrja e zjarrfikësve. Pas nxjerrjes së saj nga bunari, ekipi i Emergjencës në Ferizaj ka konstatuar vdekjen në vendin e ngjarjes.
Sipas familjarëve, viktima prej rreth dy vitesh kishte probleme shëndetësore dhe ishte duke u trajtuar nga mjekë psikiatër.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, me qëllim të përcaktimit të shkakut të saktë të vdekjes.
Hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!