image Pushojnë hetimet për terrorizëm ndaj 'Syrit të Popullit'

Ekskluzive

Pushojnë hetimet për terrorizëm ndaj ‘Syrit të Popullit’

news image

Në vitin 2018 Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 10 personave të dyshuar si pjesëtarë të organizatës “Syri i Popullit”. Të pandehurit dyshoheshin në mes tjerash se kanë kryer veprat penale “përgatitje të veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.

Gazeta Sinjali merr vesh se pas aktvendimit të Gjykatës së Apelit, Prokuroria Speciale është tërhequr nga ndjekja penale ndaj të gjithë të akuzuarve për “përgatitje të veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, derisa ka dorëzuar aktakuzë të re ndaj të pandehurve Avni Llumnica, Sadri Ramabaja dhe Bajrush Konjusha, për veprat penale bazë për të cilat akuzoheshin me aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

Burime të Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë Speciale bëjnë me dije se në mungesë të provave, Specialja është tërhequr nga ndjekja penale për veprat penale përgatitje të veprave terroriste dhe veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës ndaj Avni Llumnicës, Sadri Ramabajës, Ragip Sallovës, Halim Halimit, Bajrush Konjushës, Rexhep Topllanës dhe Behxhet Luzhës.

Ndërkaq ndaj Murat Jasharit, edhe më tutje ka ngelur propozimi i veçantë, për shqiptimin e masës për trajtim psikiatrik.

Në aktakuzën e re të dorëzuar sot nga prokuroria, të dyshuarit e lartpërmendur akuzohen vetëm për veprat bazë.

Kujtojmë se të pandehurit janë shpallur fajtorë veç e veç më 22 janar 2020 nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ku trupi gjykues shqiptoi më shumë se 30 vjet heqje lirie ndaj tyre. Por, Gjykata e Apelit gjeti shkelje esenciale te dispozitave procedurale në këtë çështje penale dhe ktheu në rigjykim këtë rast.

Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë nuk kishte vërtetuar në mënyrë të plotë gjendjen faktike, e kjo ka bërë që aktgjykimin e shkallës së parë ta anulojë dhe çështjen ta kthejë në rigjykim.

Në këtë proces penal Avni Llumnica ishte dënuar më 12 vjet burgim për shkak të dhënies së ndihmës për plagosjen e Azem Vllasit dhe sulmit seksual në qendrën e paraburgimit ndaj shokut të dhomës.

Sadri Ramabaja u dënua me 5 vjet burgim, Ragip Sallova me 4 vjet, Halim Halimi e Bajrush Konjusha u dënuan me nga 3 vjet burgim ndërsa Behxhet Luzha e Rexhep Topllani u dënuan me nga 2 vjet burgim.

Ndërsa ndaj Murat Jasharit u shqiptua masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në kohëzgjatje prej 10 viteve.

Prokuroria Speciale e Kosovës në aktakuzën e vitit 2018 akuzonte organizatën “Syri i Popullit” se planifikonte veprimtari terroriste në Kosovë.

Sipas aktakuzës, pjesëtarët e kësaj organizate po planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të shtetit të Kosovës, si dhe synonin që të arrinin qëllimet e tyre përmes sulmeve dhe me vrasjen e personaliteteve më të larta shtetërore, duke u nisur nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës që kishin qenë aktivë nga viti 1980 deri më 1991, duke i konsideruar ata si tradhtarë të vendit.

Emri i organizatës “Syri i Popullit” u bë i njohur më 12 mars të vitit 2017, kur Murat Jashari, aktivist politik i viteve të 90-ta, tentoi ta vras avokatin Azem Vllasi në Prishtinë./GazetaSinjali/