image Ekskluzive | Pushkë luftarake dhe fishekë në veturë – i riu ndalet nga Policia në Orllan

Ekskluzive

Ekskluzive | Pushkë luftarake dhe fishekë në veturë – i riu ndalet nga Policia në Orllan

news image

Një armë e gjatë dhe municion janë sekuestruar nga Policia e Kosovës gjatë një kontrolli rutinë të realizuar në fshatin Orllan të Podujevës, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 30 majit, rreth orës 21:35, kur zyrtarët policorë të Stacionit Policor në Podujevë kishin ngritur pikë kontrolli në këtë zonë.

Sipas burimeve, gjatë ndalimit të një veture për kontroll rutinë, drejtuesi i saj, Përparim Rexhepi, ka pranuar para policëve se në automjet posedonte një armë zjarri pa leje.

Kontrolli i mëtejmë ka rezultuar me gjetjen e një pushke gjysmë-automatike dhe tetë fishekëve që dyshohet se janë të kalibrit 30/06 mm, të cilat ndodheshin në ulësen e pasme të veturës.

Arma dhe municioni janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.

Me vendim të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”.

Pas përfundimit të procedurave fillestare, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/