Abuzimi me substanca narkotike po vazhdon të mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike. Kështu ndodhi edhe së fundmi në Prishtinë, ku përfundoi në pranga punonjësi i një institucioni, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se një shofer i Gjykatës Themelore në Prishtinë është kapur me substanca narkotike në rrugën “Xhemail Mustafa”.
I dyshuari është ndalur teksa ishte në lëvizje me veturën e tij dhe pas kontrollit, zyrtarët policorë i kanë gjetur drogë të llojit marihuanë dhe kokainë.
Droga e ndarë në qese është sekuestruar, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.