image Ekskluzive | Punëtori bie nga kati i dytë në objektin “Qami Construction” – arrestohet koordinatori i sigurisë në punë

Ekskluzive

Ekskluzive | Punëtori bie nga kati i dytë në objektin “Qami Construction” – arrestohet koordinatori i sigurisë në punë

news image

Një aksident i rëndë në vendin e punës ka ndodhur pasditen e së enjtes në Fushë Kosovë, ku një punëtor ka rënë nga kati i dytë i një objekti në ndërtim dhe ka përfunduar në sallën e operimit në QKUK, mëson Sinjali nga burime të afërta me hetimin.

Ngjarja ka ndodhur më 8 maj 2026 rreth orës 16:45, në rrugën “Doruntina”, afër hekurudhës, në objektin e kompanisë “Qami Construction”.

Sipas informatave, viktima I.J., rreth 55-vjeçar dyshohet se është rrëzuar nga kati i dytë gjatë punës në objekt.

Burimet bëjnë të ditur se ai ka pësuar lëndime serioze në fytyrë dhe pjesë të tjera të trupit, ndërsa është dërguar me urgjencë në QKUK në Prishtinë, ku është futur në sallën e operimit.

Sipas mjekëve, gjendja e tij aktualisht raportohet relativisht stabile.

Në vendngjarje kanë dalë njësitë relevante policore dhe Prokurori kujdestar, ndërsa janë intervistuar tre dëshmitarë dhe dy persona të dyshuar.

Sinjali mëson se si të dyshuar janë intervistuar: Shqipdon Maliqaj, rreth 37-vjeçar, në cilësinë e Koordinatorit për Siguri dhe Shëndet në Punë dhe Rrezon Sylaj, rreth 20-vjeçar, si përfaqësues juridik i kompanisë “Qami Construction”.

Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit, koordinatori për siguri në punë është ndaluar për 48 orë dhe është dërguar në Qendrën e Mbajtjes në Prishtinë.

Ndërkohë, i dyshuari tjetër është liruar në procedurë të rregullt.

Rasti po hetohet për veprën: “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/