image Ekskluzive | Postoi kërcënime ndaj policëve në Snapchat, arrestohet 34-vjeçari me urdhër-arrest aktiv në Gjakovë

Ekskluzive

Ekskluzive | Postoi kërcënime ndaj policëve në Snapchat, arrestohet 34-vjeçari me urdhër-arrest aktiv në Gjakovë

news image

Një 34-vjeçar ka përfunduar në pranga në Gjakovë, pasi përveçse kërkohej me urdhër-arrest aktiv, dyshohet se kishte kanosur zyrtarë policorë përmes një postimi në rrjetin social Snapchat, raporton Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Liridon Ademajn, rreth 34-vjeçar, i cili u arrestua mbrëmjen e 10 korrikut, rreth orës 20:20, në fshatin Rracaj të Gjakovës.

Sipas informacioneve, fillimisht ai u ndalua nga zyrtarët e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN), pasi ndaj tij ishte në fuqi një urdhër-arrest aktiv.

Gjatë veprimeve të mëtejshme hetimore, Policia ka siguruar informacione se i dyshuari kishte publikuar në llogarinë e tij në Snapchat një postim me përmbajtje kërcënuese, i cili dyshohet se ishte drejtuar ndaj zyrtarëve policorë të DHTN-së.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se Ademaj është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa në konsultim me Prokuroren kujdestare është iniciuar rasti për veprën penale “Kanosja ndaj personit zyrtar”.

Meqenëse ndaj tij ishte në fuqi edhe urdhër-arresti, i dyshuari është dërguar në Qendrën e Paraburgimit, ndërsa hetimet për rastin janë në vazhdim.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/