Vëllezërit Ahmet dhe Naim Berisha të dyshuar për vrasjen e rëndë të 26 marsit në Prishtinë, ndodhen akoma në arrati. Natën kur dyshohen se e kryen krimin, ata u arratisën dhe ende Policia s’ka arritur t’i kap. Lidhur me këtë rast, të enjten është kryer një aksion i Policisë, raporton Gazeta Sinjali.
Siç merr vesh Sinjali, Policia ka zbarkuar në shtëpinë e tyre në rrugën “Mihal Grameno” në kryeqytet, pas informacioneve se të njëjtit ndodhen në shtëpi.
Njësitë policore kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme në koordinim me Prokurorin e Shtetit, ku është kryer kontrolli në shtëpinë e tyre – por të dyshuarit nuk janë gjetur aty.
Dy vëllezërit e dyshuar janë shpallur në kërkim më 27 mars të këtij viti për veprën penale vrasje e rëndë.
Në këtë rast të rëndë mbeti i vrarë Egzon Haziri, ndërsa e pësoi tragjikisht edhe një kalimtare e rastit, Zejnie Gashi, e cila u qëllua dhe vdiq në QKUK.
Ky rast lidhet me tentim vrasjen që ndodhi po atë ditë, më 26 mars, ku të dyshuar janë Fitim Doda dhe Arijan Sijarina, të cilët hetohen për tentim vrasjen e të dyshuarit Naim Berisha, në lagjen Kolovicë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.