Një konflikt mes dy të rinjve në Prishtinë mund të kishte përfunduar me pasoja më të rënda, po të mos ishte ndërhyrja e një zyrtari policor që ndodhej jashtë detyrës, mëson Sinjali nga burime të afërta me hetimin.
Burimet bëjnë të ditur se i dyshuari është Lirim Namani 21-vjeçar.
Sipas informatave që ka siguruar Sinjali, ngjarja ka ndodhur më 28 qershor 2026 rreth orës 19:00 në rrugën “Bill Klinton”, ku një zyrtar policor jashtë detyrës ka kërkuar asistencë pasi kishte vërejtur një konflikt mes dy personave.
Sinjali mëson se, sipas deklarimeve të policit dhe një dëshmitari, pas një mosmarrëveshjeje me Flamur Krasniqin, i dyshuari ka nxjerrë një thikë dhe ia ka drejtuar atij.
Zyrtari policor ka ndërhyrë menjëherë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës, ndërsa i dyshuari ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes, por është ndaluar nga njësitë policore.
Burimet bëjnë të ditur se e gjithë ngjarja është regjistruar nga kamerat e sigurisë.
Thika është sekuestruar si provë materiale, ndërsa i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar për veprat penale:
- “Sulm”
- dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Pas procedurave policore, Lirim Namani është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti vazhdon të hetohet.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!