Nuk janë të rralla rastet kur qytetarë të shumtë prezantohen rrejshëm si zyrtarë, me qëllimin për të qëruar hesape apo për të përfituar dobi pasurore nga personat me të cilët janë në telashe. Një gjë të tillë e bëri edhe një qytetar në Fushë Kosovë, por ai si duket ka një arsye komplet tjetër, raporton Gazeta Sinjali.
Gazeta Sinjali mëson se mbrëmë në Fushë Kosovë, një qytetar u prezantua rrejshëm si pjesëtar i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI) gjatë një mosmarrëveshjeje.
Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, gjithçka ndodhi në rrugën “Dardania”, rreth orës 21:45, pranë një restoranti, kur një zyrtar policor ( jashtë detyrës) dhe vëllai i tij, Albion Fazliu, rreth 26-vjeçar, po kalonin rrugën, një veturë e tipit Golf 4, e ngjyrës së kuqe dhe drejtuar nga Valton Lenjani, rreth 39 vjeç, bëri një manovrim të rrezikshëm që për pak sa nuk i goditi.
Pas kësaj, shpërtheu një debat verbal mes palëve, gjatë të cilit, sipas dëshmitarëve dhe verifikimeve nga Policia, Valton Lenjani prezantohet si zyrtar i AKI-së për të shmangur pasojat dhe për të fituar një pozicion më të fortë në këtë situatë të tensionuar.
Në vendin e ngjarjes ndërhynë edhe zyrtarë të tjerë policorë, të cilët përmes pamjeve të kamerave të sigurisë konfirmuan veprimet dhe deklaratat e të dyshuarit.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, ndaj Valton Lenjanit është iniciuar rasti “Prezantim i rremë si zyrtar”, ndërsa rasti po trajtohet në procedurë të rregull.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!