image Ekskluzive | Po rrinte para lokalit me shokun dhe po fliste në telefon, 18-vjeçari përfundon në spital pas sulmit me shufër metalike nga pronari

Ekskluzive

Ekskluzive | Po rrinte para lokalit me shokun dhe po fliste në telefon, 18-vjeçari përfundon në spital pas sulmit me shufër metalike nga pronari

news image

Një konflikt mes një të riu dhe pronarit të një lokali në Kllokot ka përfunduar me lëndime trupore, ndërsa rasti tashmë është nën hetim, raporton Sinjali.

Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është Zoran Krcmareviq, rreth 63-vjeçar, ndërsa viktimë L.E., rreth 18-vjeçar.

Sipas burimeve të Sinjalit, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 15 korrikut, rreth orës 22:25, para një lokali në fshatin Mogillë të Kllokotit.

I dyshuari ka deklaruar para Policisë se fillimisht mes tij dhe 18-vjeçarit kishte pasur një debat verbal, ndërsa më pas i riu dyshohet se ishte afruar drejt tij me një thikë në dorë. Në këto rrethana, ai pretendon se kishte marrë një shufër metalike dhe e kishte goditur një herë në dorë për t’u mbrojtur.

Nga ana tjetër, L.E ka deklaruar se ai dhe një shok i tij po qëndronin në shkallët para lokalit dhe po bisedonin me zë të lartë në telefon, kur pronari i lokalit kishte dalë dhe e kishte goditur me shufër metalike, duke i shkaktuar lëndime.

Pas incidentit, 18-vjeçari është dërguar fillimisht në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Viti, e më pas në Spitalin Rajonal të Gjilanit, ku ka marrë trajtim mjekësor dhe është liruar për shërim në shtëpi.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Lëndim i lehtë trupor” dhe i është kaluar Njësisë së Hetimeve për veprime të mëtejshme.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/