Një kontroll rutinë i Policisë në Gjilan ka përfunduar me sekuestrimin e një sasie të dyshuar të marihuanës dhe inicimin e një rasti penal ndaj një 20-vjeçari, raporton Sinjali.
Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është Lorik Haxhiu rreth 20-vjeçar.
Sipas burimeve të Sinjalit, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 17 korrikut, rreth orës 23:00, në rrugën “Mësuesit e Viteve ’90” në Gjilan.
Hetuesit e Njësisë për Hetimin e Narkotikëve, gjatë patrullimit, kanë ndaluar për kontroll një person që po lëvizte në këmbë. Gjatë kontrollit, tek ai janë gjetur 4.55 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, si dhe një cigare e mbështjellë me marihuanë, me peshë 1.21 gram.
Substanca e sekuestruar i është nënshtruar testit fushor, i cili ka rezultuar pozitiv për marihuanë.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Posedimi i paautorizuar i substancave narkotike, psikotrope ose analoge”.
Pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti vazhdon të trajtohet nga organet kompetente.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!