image Ekskluzive | Plagosja për pronë në Vushtrri – i dyshuari që u vetëdorëzua përfundon në paraburgim, iu sekuestrua edhe arma

Ekskluzive

Ekskluzive | Plagosja për pronë në Vushtrri – i dyshuari që u vetëdorëzua përfundon në paraburgim, iu sekuestrua edhe arma

news image

Ka përfunduar në paraburgim njëri nga të dyshuarit për plagosjen me armë zjarri që ndodhi më 23 korrik në rrugën “Viciana” në Vushtrri, pas një konflikti për çështje pronësore mes dy familjeve.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se Gjykata Themelore në Mitrovicë – Departamenti për Krime të Rënda, i ka caktuar masën e paraburgimit Nehat Berishës, 37 vjeçar, i cili një ditë pas incidentit ishte vetëdorëzuar në Sektorin Rajonal të Hetimeve në Mitrovicë-Jug.

Sipas burimeve, gjatë intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, Berisha u ndal për 48 orë me urdhër të Prokurorit, ndërsa u ka treguar hetuesve edhe vendin ku kishte fshehur armën që dyshohet se ishte përdorur gjatë incidentit.

Krim-Teknika ka sekuestruar armën e tipit VZOR 50 cal, së bashku me një karikator me katër fishekë, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme.

Ngjarja kishte ndodhur pasditen e 23 korrikut, kur, sipas hetimeve, një mosmarrëveshje e mëhershme rreth pronës eskaloi në rrahje, gjatë së cilës u përdor edhe arma e zjarrit. Si pasojë, A.M, 49 vjeçar mbeti i plagosur në pjesën e poshtme të abdomenit dhe, pasi mori ndihmën e parë në Vushtrri, u dërgua në QKUK për trajtim të mëtejshëm. Lëndime pësoi edhe djali i tij, L.M, 19 vjeçar.

Në vendin e ngjarjes, hetuesit gjetën tri gëzhoja të armës së shkurtër. Gjatë aksionit policor u arrestuan katër persona, ndërsa dy të tjerë, përfshirë të dyshuarin për gjuajtjen me armë, fillimisht ishin në arrati.

Pas vetëdorëzimit të Nehat Berishës dhe sekuestrimit të armës, Gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë kushtet për caktimin e masës së paraburgimit, ndërsa hetimet për rastin e cilësuar si “Vrasje në tentativë”, “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Pjesëmarrje në rrahje” janë duke vazhduar.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/