image Ekskluzive | Plagosja me pesë plumba në Pejë: Sekuestrohen dy armë, katër karikatorë dhe mbi 120 fishekë – dalin detaje të reja

Siguri

Ekskluzive | Plagosja me pesë plumba në Pejë: Sekuestrohen dy armë, katër karikatorë dhe mbi 120 fishekë – dalin detaje të reja

news image

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga tentativa e vrasjes që tronditi Pejën mbrëmjen e 13 korrikut, ku një 45-vjeçar mbeti i plagosur me pesë plumba, ndërsa Policia ka sekuestruar një arsenal armësh dhe municioni gjatë hetimeve, raporton Sinjali.

Sinjali mëson ekskluzivisht se viktima është Suad Kelmendi (46 vjeç), ndërsa i dyshuari për rastin është Butrint Krasniqi (29 vjeç), i cili pas disa orësh në arrati është vetëdorëzuar në Polici.

Sipas burimeve të Sinjalit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:36, në rrugën “Mbreti Piro” në Pejë. Pas të shtënave me armë zjarri, autori është larguar me shpejtësi me një Volkswagen Tiguan me ngjyrë hiri.

Viktima ka marrë pesë plagë nga armë zjarri, në gjoks dhe në këmbën e majtë. Fillimisht ai është trajtuar në Spitalin Rajonal të Pejës, ndërsa më pas është transferuar në QKUK në Prishtinë. Sipas mjekëve, gjendja e tij është stabile.

Menjëherë pas ngjarjes, Policia, në koordinim me Prokurorin e Krimeve të Rënda, ka zhvilluar bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, ku janë sekuestruar:

  • 73 fishekë të kalibrit 7.65 mm;
  • Një karikator me 30 fishekë të kalibrit 9×19 mm;
  • Dy karikatorë me 11 fishekë të kalibrit 9×19 mm.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se pas vetëdorëzimit të të dyshuarit janë sekuestruar edhe:

  • një pistoletë Glock me një karikator dhe 5 fishekë të kalibrit 9×19 mm;
  • një pistoletë Beretta e kalibrit 7.65 mm, me një karikator dhe 10 fishekë.

Siç mëson Sinjali, gjatë intervistimit, i dyshuari ka shfrytëzuar të drejtën ligjore për t’u mbrojtur në heshtje.

Me urdhër të Prokurorit kujdestar, Butrint Krasniqi është ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti po hetohet nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Pejë, nën dyshimin për veprën penale “Vrasje e mbetur në tentativë”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/