Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, sidomos nga përleshjet mes të rinjve. Jo rrallëherë ka pasur raste kur të dyshuarit që janë përfshirë në rrahje kanë qenë edhe pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka ndodhur edhe pasditen e djeshme në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Vushtrri, ku pas një mosmarrëveshje, dy persona kanë rrahur një tjetër.
Sinjali mëson se viktima në këtë incident është pjesëtar i FSK-së, i cili gjatë incidentit ishte jashtë detyrës zyrtare.
Konflikti verbal që eskaloi në sulm fizik bëri që pjesëtari i FSK-së të kërkojë tretman mjekësor, ku tashmë është duke u trajtuar në QKUK.
Ndërkohë dy të dyshuarit janë larguar në drejtim të panjohur dhe Policia ndodhet në kërkim të tyre.