Mosmarrëveshjet për çështje të po vazhdojnë të shkaktojnë përleshje e telashe të shumta mes qytetarëve. Të tilla raste, që goxha shpesh ndodhin zakonisht nisin me zënka e konflikte verbale, e më pas eskalojnë edhe në përleshje e kanosje serioze, si dhe përdorimin e armëve, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë që përfundoi me shkrepjen e armëve ka ndodh edhe dje në fshatin Ballancë të komunës së Vitisë, raportoi ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Gazeta Sinjali merr vesh se e gjithë ngjarja ka ndodhur dje pasdite, shkak i disa pengesave në rrugë.
Por, kush u përfshi dhe si ndodhi rasti?
Burime të Gazetës Sinjali bëjnë me dije se kur Sherif Rexhepi, 29-vjeçar, derisa ishte duke kaluar me furgonin e tij në një rrugë lokale në fshatin Ballancë është penguar nga Nexhmedin Ademi, 38-vjeçar i cili kishte vendosur pengesa fizike për të bllokuar qasjen.
Gazeta Sinjali mëson se në vendin e ngjarjes janë përfshirë edhe familjarë të tjerë të Nexhmedinit, si: Enver Ademi, 60-vjeçar, Ramush Ademi, 26-vjeçar dhe Faruk Ademi, 36-vjeçar.
Sipas hetimeve fillestare, që i ka marrë vesh Gazeta Sinjali, pas një debati verbal, Sherif Rexhepi ka nxjerrë një revole të llojit TT nga furgoni dhe ka shtënë tri herë në tokë, pranë këmbëve të Nexhmedin Ademit.
Pas kësaj, të dyshuarit e tjerë kanë ndërhyrë dhe kanë arritur t’ia marrin armën nga duart duke u përleshur me Rexhepin.
Përleshja ka përfunduar me lëndimin e të fundit, i cili ka marrë goditje në kokë, shpinë dhe këmbë, të cilat dyshohet se janë shkaktuar gjatë ballafaqimit me katër personat tjerë.
Policia ka arritur t’i arrestojë katër të dyshuarit e familjes Ademi, derisa Sherif Rexhepi, 29-vjeçar, është duke u trajtuar në Spitalin Rajonal të Gjilanit nën mbikëqyrjen e Policisë së Kosovës, si i dyshuar.
Derisa, Policia si prova në vend të ngjarje ka gjetur dhe konfiskuar: një revole TT; tre fishekë të kalibrit 7.62 mm; tri gëzhoja të kalibrit 7.65 mm; dy predha (koka) fishekësh
Pas intervistimit, pesë të dyshuarit janë ndaluar me vendim të prokurorit, derisa bastisje janë kryer në shtëpitë e të dyshuarve në Ballancë dhe Gumnishtë, por pa gjetje të mëtejshme.
Hetimet për këtë rast janë duke u zhvilluar për dy vepra penale: Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe Lëndim i lehtë trupor.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!