Rasti i bujshëm i goditjes së këmbësorit Egzon Isufi, 32-vjeçar në rrugën “Llapi” në Prishtinë po merr përmasa të pazakonta, pasi për të tretën herë është rikualifikuar vepra penale, duke nxjerrë në pah edhe njëherë mungesën e qartësisë institucionale në ndjekjen e rasteve të rënda.
Fillimisht, më 15 qershor 2025, rreth orës 19:30, rasti ishte trajtuar si aksident trafiku me lëndime, pasi Isufi, i cili po lëvizte në këmbë, u godit nga një veturë Audi, ngjyrë hiri. Viktima u dërgua për trajtim në QKUK dhe rasti u regjistrua për hetim.
Pas shikimit të video-incizimeve, më 16 qershor, njësitet hetimore vlerësuan se goditja ishte e qëllimshme, prandaj, me udhëzim të prokurores kujdestare, rasti u rikualifikua si “Tentim vrasje” dhe kaloi në kompetencë të NJHK-së.
Por sot, më 18 qershor 2025, prokurori i Departamentit për Krime të Rënda, pasi ka shqyrtuar pamjet e siguruara, ka vlerësuar se nuk ekzistojnë elemente të mjaftueshme për “tentim vrasje” dhe ka vendosur të mos e ndjekë rastin si të tillë. Për më tepër, pas konsultimit me prokurorin kujdestar nga Departamenti i Përgjithshëm, rasti është përsëri rikualifikuar, kësaj here si “Lëndim i lehtë trupor”.
Ndërkohë, i dyshuari i identifikuar si Valtrim Sadiku, 25-vjeçar, ende ndodhet në arrati, ndërsa policia ka siguruar disa video-incizime të qarta që tregojnë rrethanat e ngjarjes.
Ky është rasti i tretë brenda tre ditësh ku institucionet ndryshojnë cilësimin ligjor, duke ngjallur shqetësim për pasiguri juridike dhe për mënyrën si po trajtohen rastet që potencialisht përbëjnë rrezik për jetën e qytetarëve.
Gazeta Sinjali do të qëndrojë pranë zhvillimeve dhe do të raportojë menjëherë për çdo veprim institucional lidhur me këtë çështje.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!