image EKSKLUZIVE | Pas rrahjes me fqinjët, mori armën nga shtëpia dhe qëlloi me plumba në Pejë – arrestohet 61-vjeçari

Siguri

EKSKLUZIVE | Pas rrahjes me fqinjët, mori armën nga shtëpia dhe qëlloi me plumba në Pejë – arrestohet 61-vjeçari

news image

Një incident i rëndë me armë zjarri ka ndodhur pak para mesnatës në Pejë, ku pas një konflikti fizik mes fqinjëve, një person dyshohet se ka shtënë me armë në drejtim të tyre, duke rrezikuar jetën e disa personave dhe duke dëmtuar një veturë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:45 në rrugën “Emrush Miftari”, në afërsi të kafenesë së njohur “Haxhi Gashi”.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se fillimisht kishte ndodhur një përleshje fizike mes të dyshuarit Redon Bajri dhe dy fqinjëve të tij. Pas konfliktit, i dyshuari dyshohet se ka shkuar në shtëpi, ka marrë një armë zjarri dhe më pas ka shtënë në drejtim të tyre.

Si pasojë e të shtënave është dëmtuar edhe një veturë që ndodhej në vendin e ngjarjes.

Kur Policia ka dalë në terren, ka gjetur automjetin me dëmtime nga predhat, ndërsa i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Sipas hetimeve fillestare, ai kishte marrë me vete edhe gëzhojat e armës, të cilat nuk janë gjetur në vendin e ngjarjes.

Megjithatë, pas një kohe, Bajri është paraqitur vetë në stacionin policor, ku ka pranuar se kishte shtënë me armë zjarri dhe ka treguar se armën e kishte lënë në shtëpinë e tij.

Njësia e hetimeve ka kryer kontroll në shtëpinë e të dyshuarit, ku ka sekuestruar armën, gëzhojat dhe municionin. Sipas Policisë, arma rezulton të ketë qenë në pronësi të prindit të tij dhe posedonte leje valide.

Me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë, ndërsa rasti është iniciuar për veprat penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”.

Hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/