Gazeta Sinjali sjellë detaje ekskluzive për një rast të rëndë që ndodhi në dhjetor të vitit të kaluar, kur një person dyshohet se tentoi të marrë jetën e dy zyrtarëve policorë në Llukar të Prishtinës.
Ngjarja ndodhi më 15 dhjetor 2024, rreth orës 17:00, kur Policia kishte marrë informacion për një veturë të dyshimtë të tipit “VW Passat” që po qarkullonte në fshatin Mramor.
Njësitë e STP Veriu reaguan menjëherë dhe në zonën e njohur si “Qamerlia” identifikuan veturën me tre persona brenda. Sapo të dyshuarit vërejtën praninë e policisë, u larguan me shpejtësi drejt fshatit Llukar.
Në hyrje të Llukarit, ku një tjetër njësi policore kishte vendosur pikë kontrolli, vetura nuk ndaloi përkundër urdhrave dhe dyshohet se drejtuesi, B.B., tentoi ta godasë me qëllim një prej zyrtarëve, me inicialet L.Sh. Për shkak të rrezikut të menjëhershëm, zyrtarët L.Sh. dhe A.A. janë detyruar të përdorin armët e shërbimit. Menjëherë pas incidentit, u njoftuan të gjitha njësitë relevante dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Megjithatë, prokurorja kujdestare nuk kishte lëshuar urdhër për inicim të rastit menjëherë. Vetëm një ditë më vonë, më 16 dhjetor, është udhëzuar zyrtarisht që të iniciohet rasti “Vrasje në tentativë ndaj personit zyrtar”.
Zhvillimi i ri:
Më 25 maj 2025, pas më shumë se pesë muajsh në arrati, i dyshuari është paraqitur vetë në zyrat e Njësisë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë, së bashku me avokatin e tij.
Ai është intervistuar në prani të mbrojtësit dhe me aktvendim të Prokurorit të Departamentit të Krimeve të Rënda është dërguar në ndalim për 48 orë në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë.
Gazeta Sinjali do të sjellë çdo zhvillim të ri nga ky rast.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!