Gazeta Sinjali ka siguruar detaje ekskluzive nga një ngjarje e rëndë që ka ndodhur në orët e para të së hënës në kryeqytet, ku të shtëna me armë kanë alarmuar banorët e lagjes.
Më 26 maj 2025, rreth orës 00:50, është raportuar për të shtëna me armë zjarri në rrugën “Kosturi” në Prishtinë. Burime të Sinjalit bëjnë me dije se një veturë e tipit Audi, ngjyrë e zezë, me dy persona brenda, është ndalur në rrugë, dhe shoferi ka dalë nga automjeti, ka shtënë tri herë në ajër me armë, e më pas është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Ankuesi i rastit, B.M, ka dhënë deklaratën e tij para Policisë, duke përshkruar momentin e incidentit dhe automjetin e dyshuar, por nuk ka mundur të identifikojë targat e veturës.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante të Policisë dhe njësia e hetimeve, të cilët kanë gjetur dhe sekuestruar tri gëzhoja të armës, të kalibrit ende të panjohur.
Lidhur me rastin është kontaktuar Prokurori kujdestar, i cili ka udhëzuar që të iniciohet rasti si “Përdorim i armës”, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për të identifikuar autorët.
Sinjali do t’ju mbajë të informuar për çdo zhvillim të ri nga ky incident.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!