Një kontroll rutinë i Policisë në Kaçanik ka çuar në zbulimin e 27 dozave të dyshuara të kokainës, të fshehura në këpucët e një 23-vjeçari, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rasti ka ndodhur pak pas mesnate, më 10 korrik, rreth orës 00:45, në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, në fshatin Dushkaj të Kaçanikut.
Sipas informacioneve, hetuesit e Stacionit Policor në Kaçanik dhe Njësia Reaguese kanë ndaluar për kontroll një automjet Volkswagen Polo me ngjyrë të zezë, të cilin e drejtonte Besart Horuni, rreth 23-vjeçar.
Gjatë verifikimit është konstatuar se drejtuesi i automjetit nuk posedonte patentë shofer, ndërsa gjatë kontrollit fizik policët kanë gjetur në këpucët e tij një qese që përmbante 27 qese të vogla me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë të përgjithshme 9.27 gramë.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se vlera në treg e substancës së sekuestruar vlerësohet të jetë rreth 700 euro.
Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar:
27 doza të dyshuara të kokainës, me peshë totale 9.27 gramë;
një telefon iPhone 12 me ngjyrë të kaltër.
Rasti është marrë në trajtim nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) – Ferizaj, ndërsa me autorizim të Prokurorit kujdestar të Departamentit për Krime të Rënda, i dyshuari është intervistuar dhe ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Hetimet po vazhdojnë nën dyshimin për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!