image Ekskluzive | Operacioni “REÇAKU 2”: Këta janë pesë të arrestuarit për Masakrën e Reçakut, pas 27 vjetësh hetime

Siguri

Ekskluzive | Operacioni “REÇAKU 2”: Këta janë pesë të arrestuarit për Masakrën e Reçakut, pas 27 vjetësh hetime

news image

Pas më shumë se dy dekadash nga njëra prej plagëve më të rënda të luftës në Kosovë, autoritetet vendore kanë ndërmarrë një nga operacionet më të rëndësishme në hetimin e krimeve të luftës.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se Policia e Kosovës ka arrestuar pesë persona të dyshuar për përfshirje në Masakrën e Reçakut, krim që më 15 janar 1999 tronditi botën dhe u shndërrua në një prej dëshmive më të fuqishme të mizorive të kryera ndaj popullatës civile shqiptare.

Të arrestuarit janë:

  • Novica Pečinoviq (58 vjeç)
  • Stanoje Janiçeviq (59 vjeç)
  • Borko Paljiq (57 vjeç)
  • Sladjan Milisavljeviq (58 vjeç)
  • Stanko Saviq (60 vjeç)

Sipas kallëzimit penal të dorëzuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës në Prokurorinë Speciale, të dyshuarit, si ish-pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe Njësive të Veçanta të Policisë (PJP), dyshohet se, në bashkëveprim me forca të tjera policore serbe dhe në koordinim me Ushtrinë Jugosllave, kanë marrë pjesë në sulmin ndaj fshatit Reçak, i cili përfundoi me vrasjen dhe masakrimin e 42 civilëve shqiptarë të paarmatosur dhe të pambrojtur.

Operacioni policor, i koduar “REÇAKU 2”, është zhvilluar në orët e hershme të mëngjesit të 14 qershorit, me përfshirjen e Njësisë Speciale Operative, njësisë K9, Drejtorisë së Teknikës Kriminalistike dhe hetuesve të krimeve të luftës.

Janë kontrolluar gjashtë lokacione – pesë në komunën e Shtërpcës dhe një në Gjilan – ku, përveç arrestimeve, janë sekuestruar para të gatshme, uniforma ushtarake e policore, dokumente që dëshmojnë angazhimin e tyre në strukturat e MPB-së së Serbisë gjatë luftës, fishekë, pajisje policore dhe materiale të tjera që konsiderohen me interes për hetimin.

Pas intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës, Prokuroria Speciale ka caktuar ndaj tyre masën e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa të dyshuarit janë paraqitur para gjyqtarit të procedurës paraprake.

Njëzeteshtatë vjet pas Reçakut, drejtësia mund të jetë e vonuar. Por për familjet e viktimave, çdo hap drejt zbardhjes së së vërtetës mbetet një kujtesë se krimet e luftës nuk parashkruhen dhe se kujtesa e një populli nuk shuhet me kalimin e kohës.

Shënim: Personi i përmendur në këtë lajm konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës kompetente.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/