Një ndjekje dramatike policore në orët e para të mëngjesit ka përfunduar me arrestimin e një 45-vjeçari, pasi dyshohet se nuk iu bind urdhrave të Policisë, përplasi një veturë zyrtare, rrezikoi jetën e zyrtarëve policorë dhe shkaktoi një aksident ku u përfshi edhe një automjet civil, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Blerim Demukajn (46 vjeç).
Gjithçka nisi pasi Policia në Rahovec raportoi se një automjet kishte refuzuar të ndalej në një pikë kontrolli në fshatin Krushë, duke u larguar me shpejtësi. Patrullat i janë vënë menjëherë në ndjekje, ndërsa informacioni është përcjellë edhe tek njësitë policore në Gjakovë.
Në rrugën “Gasper Karaqi”, patrulla e Trafikut Rajonal tentoi ta ndalonte BMW-në e kuqe me targa 03-651-JI, por shoferi nuk iu bind urdhrit.
Sipas Policisë, gjatë ndjekjes i dyshuari tentoi t’i godiste zyrtarët policorë me veturë. Më pas, ai përplasi veturën zyrtare të Policisë në pjesën e pasme, duke bërë që ajo të devijonte dhe të përplasej në një shtyllë të ndriçimit publik. Në aksident u përfshi edhe një automjet civil që po qarkullonte në atë rrugë.
Pas përplasjes, i dyshuari braktisi veturën dhe tentoi të arratisej në këmbë, por u kap pas një ndjekjeje të shkurtër nga zyrtarët policorë.
Edhe gjatë arrestimit, ai dyshohet se ka bërë rezistencë dhe ka shfaqur sjellje të dhunshme ndaj policëve.
Si pasojë e incidentit, dy zyrtarë policorë, si dhe Uranik Osmani (24 vjeç) dhe Cyme Gutaj (24 vjeçe), kanë pësuar lëndime dhe kanë marrë trajtim mjekësor.
Pas arrestimit, të dyshuarit iu nënshtrua alkool-testit, i cili rezultoi se ishte nën ndikimin e alkoolit.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj Blerim Demukajt janë iniciuar rastet për veprat penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar”, ndërsa ai është dërguar në mbajtje për 48 orë. Hetimet janë duke vazhduar.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!