image Ekskluzive: Nisin hetimet ndaj ish-ministres Dhurata Hoxha, dyshohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare

Ekskluzive

Ekskluzive: Nisin hetimet ndaj ish-ministres Dhurata Hoxha, dyshohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare

news image

Burime të Gazetës Sinjali brenda Agjencionit kundër Korrupsionit (AKK) në Prishtinë bëjnë me dije se ndaj ish-ministres Dhurata Hoxha, Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, më datën 8 tetor 2020, ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve.

Ish-ministrja Hoxha, pandehet se në pretendimet e ngritura nga AKK, në cilësinë e ministres së Ministrisë së Integrimeve Evropiane, dyshohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, vepër kjo e sanksionuar me nenin 422 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.

Gazeta Sinjali ka siguruar dy vendimet, në bazë të së cilave, dyshohet se Hoxha ka tejkaluar kompetencat e saj dhe ka shpërfillur procedurat ligjore për financimin e organizatave jo-qeveritare (OJQ), duke u mundësuar kështu përfitim pasuror të kundërligjshëm dy organizatave jo-qeveritare, përkatësisht “Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave” dhe “Down Syndrome Kosova”.

Me këto dy vendime, pretendohet se është shkaktuar dëmi që kap vlerën 20 mijë euro, pasi që janë ndarë  fonde për këto organizata, veprimtaria e të cilave nuk përkon me ministrinë që udhëhiqte Hoxha dhe buxhetin e kësaj ministrie.

Në vendimin e parë, i cili është nënshkruar më 11 dhjetor të vitit 2018, thuhet se janë ndarë mjete financiare në vlerë prej 10 mijë euro, për organizatën joqeveritare “Down Syndrome Kosova”, me seli në Prishtinë, mjete këto që janë ndarë nga kategoria e shpenzimeve, subvencioneve dhe transfereve të Ministrisë së Integrimit Evropian.  

Ndërkaq, me vendimin e dytë, po ashtu të datës 11 dhjetor 2018, janë ndarë 10 mijë euro për organizatën joqeveritare “Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave”, mjete këto të cilat janë ndarë nga kategoria e njëjtë si për vendimin e parë.

Gazeta Sinjali ka raportuar ekskluzivisht pasi AKK ka dorëzuar kallëzimin penal kundër ish-ministres Hoxha, të cilën Sinjali po ashtu e ka kontaktuar përmes telefonit, për ta pyetur nëse është intervistuar nga Agjencia kundër Korrupsionit për këto vendime, si dhe a është në dijeni që AKK ka ushtruar kallëzim penal ndaj saj, Hoxha ishte përgjigjur se: “Nuk kam dëshirë të prononcohem.”

Më poshtë mund t’i shihni dy vendimet e siguruara nga Gazeta Sinjali.

/GazetaSinjali/