image Ekskluzive nga Sinjali: Kafiteria “XAXI” në flakë – Pronari dyshon për zjarrvënie të qëllimshme, dëmi arrin deri në 30 mijë euro

Ekskluzive

Ekskluzive nga Sinjali: Kafiteria “XAXI” në flakë – Pronari dyshon për zjarrvënie të qëllimshme, dëmi arrin deri në 30 mijë euro

news image

Një rast i rëndë zjarrvënieje me dyshime për motive të qëllimshme është regjistruar në orët e para të mëngjesit të 6 qershorit në fshatin Sllatinë e Madhe të Fushë Kosovës. Burimet e Gazetës Sinjali brenda organeve të hetuesisë bëjnë me dije se kafiteria “Muzika Live XAXI” është përfshirë nga zjarri, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Fillimisht, rreth orës 08:00, pronari i lokalit, Hamze Tahiraj, ka raportuar rastin në Polici, duke dyshuar se objekti është djegur nga persona të panjohur me qëllim. Dy punëtorët e tjerë të lokalit, F.H dhe B.I, janë marrë në pyetje si dëshmitarë.

Njësitet përkatëse të hetimeve dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendngjarje për të bërë vlerësimet e para. Pas sigurimit të pamjeve të kamerave të sigurisë, hetuesit kanë arritur të konstatojnë se një person i dyshuar është parë duke iu afruar lokalit nga fusha përreth rreth orës 03:40 të mëngjesit, ndërsa pas rreth 25 minutash, ai largohet nga vendi i ngjarjes.

Për shkak të kësaj dëshmie, më 10 qershor, Prokurori i Shtetit ka vendosur që rasti të trajtohet si “Zjarrvënie”, ndërkohë që dëmi material i shkaktuar vlerësohet të jetë nga 20 mijë deri në 30 mijë euro.

Hetimet janë në vazhdim dhe autoritetet janë duke punuar për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit që shfaqet në video. Burimet konfirmojnë për Sinjalin se do të analizohet edhe motivi i mundshëm pas këtij sulmi që mund të ketë qenë paralajmërues apo i lidhur me ndonjë konflikt më të hershëm.

Gazeta Sinjali do të qëndrojë mbi këtë ngjarje dhe do t’ju informojë për çdo zhvillim të ri.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit

/GazetaSinjali/