Një ngjarje e rëndë është shënuar të mërkurën në mesditë në ambientet e shkollës fillore “Meto Bajraktari” në Prishtinë, ku një nënë e një nxënëseje ka hyrë brenda klasës dhe e ka sulmuar fizikisht një vajzë tjetër, pas një përplasjeje që kishte ndodhur më parë mes fëmijëve.
Burime të Sinjalit bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur më 18 qershor 2025, rreth orës 13:00, në objektin shkollor që ndodhet në rrugën “Josip Rela” në Prishtinë.
Sipas informatave që ka pranuar Sinjali nga stafi i shkollës, e dyshuara, nëna e njërës nga nxënëset, ka hyrë në klasë dhe ka goditur me shuplakë vajzën V.M., për shkak të një mosmarrëveshjeje mes fëmijëve.
Në momentin e incidentit, në klasë ka hyrë arsimtarja S. M., e cila ka ndërhyrë për të ndalur përshkallëzimin e situatës.
Pas pranimit të informacionit, në vendin e ngjarjes është parë edhe Policia. Akoma nuk dihet nëse është hapur apo jo rast për këtë ngjarje shqetësuese e të kundërligjshme.
Rasti ka shkaktuar shqetësim në ambientet e shkollës, ndërsa pritet që organet kompetente të ndërmarrin masat ligjore ndaj prindit të përfshirë në incident.
Sinjali do të vazhdojë ta ndjekë rastin dhe të sjellë çdo zhvillim të ri.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!