Një kontroll rutinë i Policisë në Obiliq ka përfunduar me sekuestrimin e një arme zjarri dhe municionit, ndërsa një 64-vjeçar është shoqëruar në stacion policor dhe po hetohet për posedim të paautorizuar të armës, raporton Sinjali.
Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është Faik Mehmeti, 64 vjeçar.
Sipas burimeve të Sinjalit, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 18 korrikut, rreth orës 21:40, në fshatin Raskovë të Obiliqit, ku njësia policore ka ndaluar për kontroll një veturë Mercedes-Benz me ngjyrë të zezë.
Gjatë kontrollit të automjetit, zyrtarët policorë kanë gjetur në një çantë beli, të vendosur në pjesën e pasme të veturës, një pistoletë të tipit “Beretta APS”, së bashku me një karikator dhe 15 fishekë të kalibrit 9×19 mm.
Arma dhe municioni janë sekuestruar si prova materiale, ndërsa Faik Mehmeti është shoqëruar në Stacionin Policor në Obiliq, ku është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është iniciuar procedura për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa rasti vazhdon të trajtohet sipas ligjit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!