Pamje shqetësuese kanë arritur në redaksinë e Gazetës Sinjali nga Xhamia e Mulla Osmanit në Drenas, ku në pjesë të konsiderueshme të brendësisë së objektit fetar vërehen gjurmë të dukshme të lagështisë dhe mykut në mure dhe në kupolën e xhamisë.
Siç shihet edhe nga pamjet, njollat e lagështisë janë përhapur në sipërfaqe të mëdha të tavanit dhe mureve të objektit, duke krijuar një ambient larg standardeve të higjienës dhe sigurisë që duhet të ofrojë një hapësirë ku çdo ditë mblidhen besimtarë për kryerjen e riteve fetare.
Shqetësimi bëhet edhe më i madh kur merret parasysh se myku dhe lagështia e vazhdueshme mund të ndikojnë negativisht në cilësinë e ajrit brenda objektit, duke paraqitur rrezik potencial për shëndetin e personave që frekuentojnë xhaminë, veçanërisht të moshuarve, fëmijëve dhe personave me probleme respiratore.
Xhamia njihet si objekti ku ligjëron Mulla Osmani, figurë fetare e njohur në këtë komunë, i cili aktualisht është edhe kandidat për deputet në kuadër të Lëvizjes Vetëvendosje.
Pamjet ngrenë pikëpyetje serioze lidhur me mirëmbajtjen e objektit dhe masat e ndërmarra për sanimin e problemit, në një kohë kur vendet e kultit pritet të ofrojnë jo vetëm qetësi shpirtërore, por edhe kushte të sigurta dhe të shëndetshme për besimtarët.
Gazeta Sinjali do të kërkojë sqarime nga përgjegjësit e xhamisë dhe institucionet përkatëse lidhur me gjendjen e objektit dhe masat që do të ndërmerren për eliminimin e lagështisë dhe mykut që shihen në ambientet e brendshme.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!