Një mosmarrëveshje verbale në fshatin Skivjan të Gjakovës ka eskaluar në kanosje me armë zjarri, duke përfunduar me arrestimin e një personi dhe sekuestrimin e armës që dyshohet se është përdorur gjatë incidentit.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së dielës, rreth orës 19:30, kur Policia e Kosovës ka pranuar informacion për një rast kanosjeje me armë zjarri.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se pas daljes në vendin e ngjarjes, viktimat kanë deklaruar se pas një mosmarrëveshjeje verbale me Demë Avdijajn, ai kishte nxjerrë armën nga brezi dhe ua kishte drejtuar në drejtim të tyre, duke i kërcënuar me fjalët: “Mos u afroni se ju vras”.
Sipas informacioneve fillestare, incidenti dyshohet të ketë ardhur si pasojë e një mosmarrëveshjeje të mëhershme që i dyshuari kishte pasur me një person tjetër.
Njësitet policore kanë arritur ta arrestojnë të dyshuarin dhe gjatë kontrollit kanë sekuestruar një armë të shkurtër të tipit Sig Sauer, një karikator dhe 14 fishekë të kalibrit 9×19 mm.
Pas konsultimit me prokurorin kujdestar, ndaj të dyshuarit janë iniciuar veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Kanosja”.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin janë duke vazhduar.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!