Gazeta Sinjali raportoi sonte se Gjykata Supreme e ka anuluar dënimin me burgim të përjetshëm ndaj ish-rreshterit të Policisë së Kosovës, Shefki Spahiut, i cili është shpallur fajtor për vrasjen e punëtorit të kazinos në Suharekë, Jetmir Aliajt, raporton Gazeta Sinjali.
Me aktgjykimin e Supremes, Shefki Spahiut i është zbutur dënimi në 25 vjet burgim për vrasjen që e ka kryer më 17 mars të 2019-ës, në një kazino në Suharekë.
Gazeta Sinjali ka siguruar pamje ekskluzive nga momenti i vrasjes së 32-vjeçarit, Jetmir Aliajt, nga ish-rreshteri i Policisë, Shefki Spahiu.
Në video shihet Spahiu i cili, sipas aktakuzës që posedon Sinjali, më 17 mars të vitit 2019 kishte shkuar në kazinon ku punonte Aliaj, ku kishte qëndruar nga ora 03:47 deri në 05:06 të mëngjesit. Ai ishte kthyer aty sërish në orën 07:35, gjoja për të kërkuar diçka që i kishte rënë në kazino.
Ndonëse, 32-vjeçari i kishte besuar dhe për disa minuta e kishte ndihmuar që të kërkonte atë që pretndonte që i ka humbur, në një moment kur Jetmir Aliaj, ishte i ulur duke shikuar diçka në telefonit e tij, ish-rreshteri e nxjerrë armën me të cilën e qëllon të riun në kokë.
Jetmir Aliaj ndërroi jetë si pasojë e plasaritjes dhe gjakderdhjes së brendshme në kokë nga plaga e shkaktuar me predhë nga arma e zjarrit.
Me këto veprime, Shefki Spahiu akuzohet se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë.
Ndërkaq, sipas pikës së dytë të aktakuzës, ai akuzohet se pas kryerjes së vrasjes, kishte hyrë në dhomën ku kanë qenë të vendosura pajisjet e kamerave të kazinosë dhe kishte shkatërruar, dëmtuar dhe fshehur provat me qëllim të pamundësimit të shfrytëzimit të dëshmive në procedurë zyrtare. Me këto veprime Shefki Spahiu akuzohet se ka kryer veprën penale “Manipulim me Prova”./GazetaSinjali/