image Ekskluzive | Misteri i mostrave të dëmtuara në IML - Shteti hesht përballë skandalit

Skandaloze

Ekskluzive | Misteri i mostrave të dëmtuara në IML – Shteti hesht përballë skandalit

news image

Mostrat e autopsisë që u kryen nga Instituti i Mjekësisë Ligjore për rastet e tri vdekjeve të dyshimta në sallat e operacionit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës më 7 shtator të vitit 2017 dyshohet se u gjetën të dëmtuara. Ky rast që duket të jetë skandal në vete nuk u zbulua asnjëherë, përkundër që pati një denoncim dhe u deponuan prova. Epilogu nuk dihet. IML ka deklaruar se mostrat e këtyre rasteve kurrë s’janë dëmtuar. Por të cilave raste janë këto mostra, kush i dëmtoi, pse u fotografuan dhe ku përfunduan – përgjigjet e këtyre pyetjeve janë një mister.

Gazeta Sinjali sjellë hulumtimin për misterin e mostrave të dëmtuara në IML dhe heshtjen e institucioneve përballë këtij skandali

Autopsia e tre trupave të pajetë ishte kryer më 15 shtator të vitit 2017 pasi trupat ishin zhvarrosur, për çka ekziston një raport me orë të saktë për mostrat që janë marrë, pranimin e tyre dhe kthimin e trupave të pajetë te familjet, po atë ditë.

Pas 10 ditësh, ndodhi ajo që nuk pritej dhe që dyshohej se ishte e qëllimshme. Mostrat e tre trupave u gjetën të dëmtuara, fotografitë e të cilave Sinjali i ka siguruar dhe që e dëshmojnë se bëhet fjalë për këto raste. 

Nga hulumtimi që ka bërë Gazeta Sinjali del se rasti ishte zbuluar nga një teknike e IML-së,  e cila kishte kërkuar që mostrat të fotografohen dhe të dëshmohet gjendja e tyre. Drejtoresha  e Laboratorit të Toksikologjisë, Flutura Goga-Bajrami, e cila punon pa licencë në këtë institucion, ishte vënë në dijeni për atë që kishte ndodhur, por që dyshohet se nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim.

Në dokumentacionin e këtyre rasteve, në dosjen ku ruheshin paketimet origjinale të mostrave, dyshohet se kanë munguar edhe qeset e evidencës së këtyre tri rasteve.

Dyshimet për këtë rast u ngritën pas tre vitesh, saktësisht në maj të vitit 2020, kur Policia i trokiti në derë Gogës me autorizim të Prokurorit të Shtetit, për të hetuar gjendjen e mostrave të këtyre rasteve.

Ndonëse vet Goga i pa mostrat e dëmtuara dhe pranoi fotografi për gjendjen e tyre, skandali ka shkuar edhe më tej pasi ajo i prezantoi hetuesve policorë mostra të tjera, të cilat nuk dihet se kur u morën, pasi autopsia e tre trupave është bërë vetëm 1 herë.

Por përkundër dëshmive qe ekzistonin, tjetër shpjegim ka dhënë Goga Bajrami në e-mailet që ka shkëmbyer me zyrtarë të IML-së pikërisht për këtë çështje.

Sinjali ka mësuar se drejtoresha e laboratorit ka deklaruar se fotot janë bërë me kërkesën e saj, për të dëshmuar se në çfarë gjendje është kërkuar të pranohen atë ditë këto mostra nga tekniku i sallës së autopsisë, pasi gjoja se kanë refuzuar t’i pranojnë ato. Madje, ajo ishte shqetësuar pse organet e rendit ishin në dijeni për këtë rast.

“Unë sot më datë 15.05.2020, kam shkuar dhe kam dhënë deklaratën time për këtë qështje. Në këtë rast çdo gjë është sqaruar dhe i njëjti hetues më vonë ka ardhur dhe ka bërë edhe disa foto në laborator për ta vërtetuar deklaratën time.

Kjo çështje sa i përket anë së hetuesisë dhe Prokurorisë besoj që është sqaruar plotësisht sot, por unë shpreh shqetësimin tim tejet të madh sa i përket rrjedhjes së gjërave këtu brenda IML.

Fotot që kanë shkuar tek Prokurori i Shtetit janë dokumente të brendshme të Laboratorit të Toksikologjisë dhe IML-së, të bëra me kërkesën tonë për të dëshmuar se në çfarë gjendje është kërkuar të pranohen atë ditë këto mostra nga tekniku i sallës së autopsisë pasi që ne kemi refuzuar për t’i pranuar ato.

Për ta arsyetuar kthimin prapa të këtyre mostrave, kemi kërkuar që të njëjtat të fotografohen që të kemi dëshmi se si kanë kërkuar të pranohen. Por këto fotografi kanë shkuar në Prokurori dhe të njëjtat janë keqinterpretuar me pretekstin se këto mostra janë dëmtuar qëllimisht për të humbur si dëshmi.” – thuhet në njërin nga e-mailet e Gogës për këtë rast.

Megjithatë, kjo dyshohet të jetë një tjetër e pavërtetë e Goga Bajramit.

Në një e-mail tjetër të siguruar nga Sinjali zbulohet se zyrtari i IML-së pasi ka bërë fotografimin e mostrave të dëmtuara, e ka raportuar me shkrim një gjë të tillë te udhëheqësit e tij, ku në raport, ndër të tjera thuhet se kërkesa për t’i fotografuar mostrat i është bërë verbalisht nga teknikja I.SH.

Pra, fotografimi i mostrave nuk ishte bërë me kërkesë të Goga Bajramit, siç ka deklaruar ajo në IML dhe kjo çështje nuk ishte trajtuar fare deri në maj të vitit 2020, kur drejtoresha ka dhënë deklaratë në Njësinë e Hetimeve Rajonale në Prishtinë për këtë çështje.

Se ku u mor materiali që ndodhet në mostrat për këto raste mbetet një mister, që nuk është konfirmuar nëse për rastin kanë nisur hetimet.

Sinjali ka dërguar pyetje në IML, për të marrë një përgjigje nëse mostrat e tri rasteve të vdekjeve të dyshimta janë gjetur të dëmtuara 10 ditë pasi është bërë autopsia e trupave të pajetë dhe është kërkuar data e saktë se kur janë gjetur mostrat e dëmtuara.

Rreth një javë më pas, ud drejtori Ditor Haliti ka kthyer përgjigje, ku thuhet se mostrat e tri vdekjeve të dyshimta në asnjë fazë nuk kanë qenë të dëmtuara.

Por, IML nuk është përgjigjur se të kujt kanë qenë mostrat e dëmtuara, nëse qëndron pretendimi që kanë dhënë “se mostrat e atyre rasteve ne asnjë faze nuk kane qene dhe nuk janë te dëmtuara”.

“Për rastin për te cilin jeni te interesuar, ne vitin 2020 është zhvilluar një hetim ne IML nga Prokurori i Shtetit – Prokuroria Themelore ne Prishtine, me te cilët kemi bashkëpunuar dhe u jemi përgjigjur te gjitha kërkesave te tyre ne forme zyrtare. Deri me sot ne si IML asnjëherë nuk jemi njoftuar me rrjedhën e rastit dhe nuk kemi marre asnjë përgjigje nga Prokuroria ne lidhje me këtë çështje. 

Ajo qe bie ne përgjegjësinë e institucionit tone si IML është çështja e integritetit te mostrave, dhe me përgjegjësi te plote deklarojmë se mostrat e atyre rasteve ne asnjë faze nuk kane qene dhe nuk janë te dëmtuara. Ky është fakt i dëshmuar por për çdo informacion me te detajuar ju lutem drejtohuni tek Prokuroria përkatëse.”

Tutje, Haliti ka paragjykuar dhe ka ‘këshilluar’ që mediat të konfirmojnë informacionet që posedojnë, ndërkohë që në e-mailin e tij pikërisht për këtë punë nuk është përgjigjur në asnjë nga nëntë pyetjet e dërguara. 

“Ne si IML do ta vlerësonim shume nëse mediat do te konfirmonin paraprakisht pretendimet e kujtdo lidhur me rastet qe trajtohen ne institucionin tone, sepse plasimet e lajmeve apo deklarimeve te pavërteta dhe tendencioze dëmtojnë para se gjithash familjaret e viktimave, gjë qe IML nuk e dëshiron asnjëherë.”

Redaksia ka dërguar pyetje në Prokurorinë Speciale dhe në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, por deri më sot nuk ka marrë një përgjigje.

/GazetaSinjali/