image Ekskluzive: “Merre çikën ose e qes në sokak dhe e vras” – babai denoncon dhunën ndaj vajzës, ndalohet dhëndri

Ekskluzive

Ekskluzive: “Merre çikën ose e qes në sokak dhe e vras” – babai denoncon dhunën ndaj vajzës, ndalohet dhëndri

news image

Një rast i rëndë i dhunës në familje është raportuar të dielën mbrëma në fshatin Temeqinë të Malishevës, ku një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë dhe ka lëshuar kërcënime serioze ndaj bashkëshortes së tij, duke alarmuar familjarët dhe Policinë.

Sipas burimeve të Sinjalit, më 8 qershor 2025, rreth orës 19:30, në Stacionin Policor është paraqitur një qytetar i cili ka deklaruar se motrës së tij, L.J., prej kohësh i ushtrohet dhunë nga bashkëshorti, H.Sh. Ai ka shtuar se babai i tyre, i cili atë ditë ndodhej si mysafir në shtëpinë e dhëndrit për festën e Bajramit, ka dëgjuar të shtëna me armë zjarri në afërsi të shtëpisë.

Pasi është kthyer në shtëpinë e tij në Jezerc, dhëndri e ka telefonuar duke e kërcënuar me fjalët: “Hajde merre çikën ose ta qes në sokak dhe ta vras”, sipas deklaratës së ankuesit.

Policia ka reaguar menjëherë, duke shkuar në shtëpinë e viktimës, por ajo ka refuzuar të japë deklaratë, duke thënë se “nuk ka problem me askënd”, përfshirë edhe bashkëshortin.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, por nuk është gjetur asnjë objekt i dyshimtë. Pavarësisht kësaj, për shkak të natyrës serioze të deklarimeve dhe kërcënimeve, prokurori ka urdhëruar inicimin e procedurës penale për “Dhunë në familje” dhe ndalimin e të dyshuarit për 48 orë.

I dyshuari është dërguar në qendrën e mbajtjes në Stacionin Policor në Rahovec, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/