image Ekskluzive: Mërgimtari kthehet nga Gjermania dhe e gjen shtëpinë të thyer në Gjakovë, i vidhet arma me fishekë

Siguri

Ekskluzive: Mërgimtari kthehet nga Gjermania dhe e gjen shtëpinë të thyer në Gjakovë, i vidhet arma me fishekë

news image

Një rast i vjedhjes së rëndë është raportuar në Gjakovë, ku persona ende të panjohur dyshohet se kanë hyrë me forcë në një shtëpi dhe kanë vjedhur një armë me fishekë, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Sipas burimeve të Sinjalit, rasti është raportuar më 22 qershor, rreth orës 07:00, në rrugën “Mark Malota” në Gjakovë.

Burimet bëjnë të ditur se ankuesi A.K., i cili jeton në Gjermani, ka deklaruar se shtëpinë e kishte lënë në rregull që nga muaji prill.

Mirëpo, kur është kthyer në shtëpi, ai ka vërejtur se dera e pasme ishte dëmtuar dhe dyshohet se ishte hapur me forcë.

Sipas deklarimit të ankuesit, brenda shtëpisë dollapët kanë qenë të hapur, ndërsa kur ka kontrolluar kutinë ku e kishte lënë armën, e ka gjetur vetëm kutinë.

Burimet thonë se nga shtëpia dyshohet se është vjedhur arma bashkë me 30 fishekë.

Ankuesi ka deklaruar se armën e kishte me leje, por leja i kishte skaduar më 9 shtator 2024 dhe ishte në procedurë për vazhdimin e saj.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë patrulla policore dhe njësia e hetimeve, të cilat kanë kryer veprimet e nevojshme.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, ndërsa rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë”.

Hetimet për identifikimin e personave të dyshuar dhe zbardhjen e plotë të rastit janë në vazhdim.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/