image Ekskluzive: “Më ndoqi në errësirë, më preku dhe hyri pas meje në lokal” – E reja denoncon për ndjekje dhe sulm seksual arabin në Prishtinë

Ekskluzive

Ekskluzive: “Më ndoqi në errësirë, më preku dhe hyri pas meje në lokal” – E reja denoncon për ndjekje dhe sulm seksual arabin në Prishtinë

news image

Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve dhe sulmeve seksuale. Një rast i tillë ka ndodhur edhe në orët e para të mëngjesit të sotëm në kryeqytet, ku një vajzë e re është përballur me momente frike dhe pasigurie, pasi u përndoq dhe u sulmua seksualisht nga një person i panjohur.

Sinjali mëson nga burime të sigurta brenda Policisë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:30 në rrugën “Sylejman Vokshi”, në Prishtinë.

Viktima, R.Z., rreth 22-vjeçare, ishte duke ecur vetëm, kur vuri re se po ndiqej nga një burrë i panjohur. Ai i është afruar dhe e ka prekur në mënyrë të papërshtatshme në pjesën e pasme të trupit.

E tronditur nga ngjarja, vajza ka reaguar menjëherë duke e shtyrë të dyshuarin dhe është larguar me shpejtësi në drejtim të lokalit “Tirana” në rrugën “2 Korriku”, ku kishte planifikuar të takohej me disa shoqe. Por përndjekja nuk përfundoi aty – burri e ndoqi edhe brenda lokalit dhe u largua vetëm pasi pa që ajo ishte ulur në shoqëri të të tjerëve.

Pas raportimit të rastit, njësitet policore kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme. I dyshuari është identifikuar si Ghaith Abu Saed, rreth 47-vjeçar, shtetas i huaj, i cili është ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorit të Shtetit.

Burimet konfirmojnë se nuk është zhvilluar intervistimi i tij, për shkak të pamundësisë për të siguruar përkthyes të autorizuar në momentin e ndërhyrjes. Për këtë arsye, ai është dërguar në qendrën e ndalimit, ku do të qëndrojë deri në marrjen e deklaratës dhe përpilimin e kallëzimit penal për veprën “Sulm seksual”.

Hetimet janë në zhvillim dhe Sinjali do të vazhdojë t’ju mbajë të informuar.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/