image Ekskluzive | Me armë e maskë hyri ta grabiste argjendarinë "Halimi Gold" në Gjilan, por pronari ia prishi planin, arrestohet 18-vjeçari

Siguri

Ekskluzive | Me armë e maskë hyri ta grabiste argjendarinë “Halimi Gold” në Gjilan, por pronari ia prishi planin, arrestohet 18-vjeçari

news image

Një tentim grabitjeje me armë në një argjendari në qendër të Gjilanit është parandaluar falë reagimit të pronarit dhe ndërhyrjes së shpejtë të Policisë, raporton Sinjali.

Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është Diar Berisha (19-vjeç), i cili tashmë ndodhet në ndalim policor.

Sipas burimeve të Sinjalit, ngjarja ka ndodhur të hënën rreth orës 14:00 në argjendarinë “Halimi Gold”, në rrugën “Shatërvani” në Gjilan.

Dyshohet se 18-vjeçari ka hyrë në argjendari dhe, nën kërcënimin e një arme, ka tentuar të kryejë grabitjen, por është penguar nga pronari i lokalit, H.I. (34 vjeç). Pas dështimit të planit, ai është larguar me vrap në drejtim të qytetit.

Menjëherë pas raportimit për “grabitje në progres”, në ndjekje janë vënë njësitë patrulluese dhe hetuesit e Njësisë për Hetimin e Krimeve, të cilët kanë arritur ta lokalizojnë dhe arrestojnë të dyshuarin në rrugën “Sadulla Brestovci” në Gjilan.

Gjatë arrestimit, Policia ka sekuestruar një pistoletë me gaz të tipit “EKOL Jackal” të kalibrit 9 mm, një karikator të zbrazët, një kapelë-maskë, një çantë krahu, një motoçikletë (skuter) dhe një helmetë me ngjyrë hiri, të cilat dyshohet se janë përdorur gjatë tentim-grabitjes.

I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa me aktvendim të Prokurorit të Shtetit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Rasti është proceduar në Prokurorinë Themelore në Gjilan me kallëzim penal për veprën “Grabitje në tentativë”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/