Një kontroll rutinë i Policisë në Ferizaj ka çuar në arrestimin e dy personave, pasi gjatë kontrollit u gjetën narkotikë dhe një thikë, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rasti ka ndodhur mbrëmjen e së premtes, rreth orës 23:30, në rrugën “Enver Topalli”, në fshatin Doganaj.
Gjatë një pike kontrolli, njësia e NJRSH-së ndaloi një veturë VW Golf, të cilën e drejtonte Ismajl Muhaxheri, ndërsa pasagjer ishte Ibrahim Zeqiri (30 vjeç).
Gjatë kontrollit, te pasagjeri Ibrahim Zeqiri u gjet një qese me 8.64 gram substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, ndërsa te shoferi u gjet një thikë.
Të dy u arrestuan dhe u shoqëruan në Stacionin Policor në Ferizaj.
Rastin lidhur me narkotikët e mori në trajtim Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN), ndërsa për thikën procedurat u zhvilluan nga njësitë e Stacionit Policor në Ferizaj.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, Ibrahim Zeqiri u intervistua dhe më pas u lirua në procedurë të rregullt, ndërsa marihuana u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt gjyqësore.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!