Posedimi i armëve ilegale është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre, raporton Sinjali.
Një rast i armëmbajtjes pa leje u zbulua dje në Dragash të Prizrenit, ku Policia gjatë kontrollit të një automjeti ka konfiskuar një armë pushkë-mitrolez pa fishek si dhe ka arrestuar një të dyshuar.
Sinjali ka mësuar se personi i cili u kap me armë është 43 vjeçari, Faruk Hoti – i cili deklaroi se armën e gjeti në një lumë afër Vermicës.
I dyshuari është intervistuar nga Policia dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Sinjali do t’iu mbajë të informuar për çdo risi nga ky rast.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.