image Ekskluzive: Ky është zyrtari i SHKK-së që u pezullua nga puna, u kap duke furnizuar me drogë një të paraburgosur

Ekskluzive

Ekskluzive: Ky është zyrtari i SHKK-së që u pezullua nga puna, u kap duke furnizuar me drogë një të paraburgosur

news image

Shërbimi Korrektues i Kosovës gjatë ditës së djeshme ka pezulluar nga puna një zyrtar, i cili dyshohet se ka mundësuar futjen e kontrabandës brenda Qendrës së Paraburgimit në Gjilan, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson ekskluzivisht se bëhet fjalë për zyrtarin Kreshnik Reçica.

Kreshnik Reçica

Burimet bëjnë me dije se Reçica dyshohet se ka furnizuar me sasi të substancës së dyshuar narkotike një të paraburgosur që ndodhej në këtë Qendër.

Me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake, Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë ka kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit në fshatin Llugaxhi të Lipjanit, ku kanë gjetur dhe sekuestruar armë zjarri dhe municion. Për shkak të kësaj është shoqëruar në Polici babai i 26-vjeçarit, ndaj të cilit është iniciuar rasti për veprën ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve’.

Kreshnik Reçica është arrestuar dhe është intervistuar nga hetuesit policorë në praninë e avokatit të tij mbrojtës.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e dy veprave penale ‘Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtare’ dhe ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve dhe substancave psikotrope ose analoge’.

Ndryshe, gjatë ditës së djeshme SHKK ka njoftuar lidhur me rastin, ku thuhet se vendimi për pezullim është marrë nga Komisioni Disiplinor i SHKK-së, dhe menjëherë janë njoftuar organet kompetente, të cilat po merren e rastin.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/