Vetëm disa javë pasi ishte përballur me drejtësinë për dhunë brutale ndaj bashkëshortes dhe babait të saj, Sali Starabaja rikthehet sërish në qendër të vëmendjes për shkelje flagrante të masës së sigurisë që i ishte vendosur nga Gjykata në Gjilan.
Pas veprimeve të dhunshme të ndodhura në mars, për të cilat ishte arrestuar dhe proceduar penalisht, ai këputi pajisjen elektronike të monitorimit duke tentuar të shmangte kontrollin e autoriteteve, veprim që rezultoi me arrestimin e tij të dytë dhe ndalimin për 48 orë.
Burime të sigurta të Sinjalit konfirmojnë se rasti i fundit ndodhi më 24 prill 2025 në rrugën “Medlin Olbright” në Gjilan, kur njësia e monitorimit konstatoi shkëputje të sinjalit të byzylykut elektronik që Starabaja ishte i detyruar ta mbante si masë sigurie.
Më pas, vetë i dyshuari u paraqit në stacionin policor, ku policia konstatoi se pajisja ishte prerë me thikë – veprim që ai e pranoi edhe në prani të avokatit të tij mbrojtës.
Starabaja deklaroi para hetuesve se e kishte prerë byzylykun pasi “po e pengonte të afrohej te fëmijët e tij”, duke shkelur kështu në mënyrë flagrante urdhrin mbrojtës të Gjykatës, vendim i cili kishte për qëllim mbrojtjen e viktimës së dhunës dhe kufizimin e afërsisë me familjen.
Për këtë veprim, me vendim të Prokurores së Shtetit, ai është ndaluar për 48 orë dhe ndaj tij është iniciuar procedurë për veprën penale “Mospërfillja e Gjykatës”.
Por kjo nuk është hera e parë që Sali Starabaja përballet me akuzat e rënda të dhunës në familje.
Sipas dosjes së siguruar nga Sinjali, më 4 mars 2025, ai ishte përfshirë në një incident të rëndë në rrugën “Vjosa” në Gjilan, ku, pas një fjalosjeje me bashkëshorten, kishte ushtruar dhunë fizike brutale ndaj saj duke i shkaktuar lëndime trupore, për çka iu ofrua tretman mjekësor.
Në të njëjtën ngjarje, ai kishte sulmuar fizikisht edhe babanë e bashkëshortes, duke i shkaktuar lëndime dhe duke përshkallëzuar situatën në një rast të rëndë të dhunës familjare.
Për këto veprime, Sali Starabaja ishte ndaluar atëherë me vendim të Prokurorisë Themelore në Gjilan, dhe ndaj tij ishte ngritur kallëzim penal për tre vepra penale: “Dhunë në familje, “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Sulm”.
Sinjali mëson se Starabaja konsiderohet recidivist i dhunës në familje, dhe pritet të përballet me pasoja të rënda ligjore, pasi tani rrezikon akuzë të shtuar edhe për Mospërfillje të Gjykatës.
Hetimet për të janë duke vazhduar nën mbikëqyrjen e prokurorit të çështjes.
Sinjali do të vazhdojë të raportojë mbi rastet e tilla që tronditin rendin familjar dhe publik në vend.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!