image Ekskluzive: Ky është punëtori i 'Fershped Reisen' i arrestuar për sulmin ndaj shoferit të një veture në Prishtinë

Siguri

Ekskluzive: Ky është punëtori i ‘Fershped Reisen’ i arrestuar për sulmin ndaj shoferit të një veture në Prishtinë

news image

Konfliktet në trafik janë goxha të shpeshta në vendin tonë dhe jo rrallëherë eskalojnë në kërcënime serioze e përleshje fizike, për çka nevojitet ndërhyrja e Policisë. Një rast i tillë ndodhi të enjten te Stacioni i Autobusëve në Prishtinë, ku shoferi i një veture po dyshohet se u sulmua nga shoferi i një autobusi të kompanisë ‘Fershped Reisen’

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuari që përfundoi në ndalim policor është Fitim Muhaxheri – shofer i autobusit të ‘Fershped Reisen’.

Bazuar në informacionet e para, i dyshuari fillimisht ia kishte zënë rrugën shoferit të një veture dhe më pas ka dalë dhe e ka sulmuar fizikisht.

Viktima ka kërkuar ndihmën e Policisë dhe ka rrëfyer në detaje se si ndodhi konflikti verbal me të dyshuarin që më pas eskaloi.

Si rezultat i denoncimit, një njësi policore ka intervenuar në vendin e ngjarjes dhe palët janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Ndaj të dyshuarit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit në drejtim të veprës penale “Sulmi”.

Sinjali ka kontaktuar kompaninë për të marrë versionin e tyre, por punëtorja që e ka hapur telefonin ka deklaruar se personat përgjegjës nuk ndodhen aty.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/