image Ekskluzive: Ky është pronari i lokalit në Suharekë i arrestuar për bixhoz - ka të kaluar kriminale

Ekskluzive

Ekskluzive: Ky është pronari i lokalit në Suharekë i arrestuar për bixhoz – ka të kaluar kriminale

news image

Njësitë e Sektorit të Hetimeve Rajonale të Policisë në Prizren kanë zhvilluar një operacion në Suharekë, ku kanë arrestuar dhjetë persona të dyshuar për organizimin e bixhozit të paligjshëm dhe skemave piramidale, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se aksioni është realizuar në një kafiteri përballë Stacionit të Policisë në Suharekë, konkretisht në lokalin “Real Game Zone”, i cili është pronë e Lulzim Reshanit, i cili dyshohet se ka qenë edhe organizatori i këtyre lojërave.

Lulzim Reshani i cili është edhe njëri nga dhjetë të arrestuarit, është emër i njohur për autoritetet, pasi ka të kaluar kriminale.

Lulzim Reshani

Por, si ndodhi operacioni?

Pas informacioneve që ka pranuar Policia se në lokalin në fjalë po organizohej bixhoz i paligjshëm, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, hetuesit kanë shkuar menjëherë në lokacion.

Kur policia ka arritur në vendngjarje, dera e lokalit ishte e mbyllur nga brenda, por pas insistimit të zyrtarëve policorë, pronari e ka hapur derën.

Brenda lokalit janë hasur 10 persona, të cilët ishin të ulur në tavolina ku gjendeshin letra bixhozi dhe dëshmi të tjera që sugjeronin zhvillimin e lojërave të fatit të paligjshme.

Të gjithë të dyshuarit janë shoqëruar në Stacionin Policor të Prizrenit për procedura të mëtejshme, ndërsa janë sekuestruar dëshmi që mund të ndërlidhen me veprën penale.

Pas intervistimit të tyre në praninë e avokatëve mbrojtës, Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim për ndalimin e tyre për 48 orë.

Policia dhe Prokuroria po vazhdojnë hetimet për të zbuluar shtrirjen dhe organizimin e këtij aktiviteti të paligjshëm. Ndërkohë, po shqyrtohet nëse ky grup ka pasur lidhje me aktivitete të ngjashme në qytete të tjera.

Sinjali do të vazhdojë të raportojë për zhvillimet e mëtejshme mbi këtë rast.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/