Gazeta Sinjali pak më parë raportoi ekskluzivisht për një rrahje që ka ndodhur sot në Fakultetin e Mjekësisë, ku prindi i një studenti dyshohet se ka sulmuar fizikisht profesoreshën e këtij Fakulteti, Hatixhe Latifi Pupovci, e cila po ashtu është bashkëshortja e zëvendësministrit të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se personi që dyshohet se rrahu profesoreshën Pupovci, është Arsim Gashi, babai i studentit të Fakultetit të Mjekësisë, Donat Gashi.
Sinjali mëson se ngjarja e pazakontë në Fakultetin e Mjekësisë, për motiv kishte mosmarrëveshjen profesor – student, me ç’rast babai i Donatit, Arsimi, në shenjë pakënaqësie lidhur me ankesat e djalit të tij, dyshohet se ka grushtuar profesoreshën Pupovci dhe e ka sulmuar me mjet të fortë (gotë qelqi).
Ngjarja është raportuar edhe në Polici nga sigurimi i Fakultetit të Mjekësisë, të cilët kanë kontaktuar me viktimën, kanë siguruar provat materiale dhe kanë marrë deklaratat e dëshmitarëve okularë.
E lidhur me rastin është deklaruar edhe Policia e Kosovës, ku zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka konfirmuar raportimin e Gazetës Sinjali.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.