Njësia e Antidrogës në Gjilan ka zhvilluar të enjten një aksion, ku u kap një person i dyshuar për shitblerje të substancave narkotike dhe u sekuestrua më shumë se gjysmë kilogramë marihuanë. Personi i dyshuar përfundoi në ndalim policor dhe rasti tashmë është iniciuar, raporton Gazeta Sinjali.
Bastisjet janë kryer në shtëpinë e të dyshuarit në rrugën “Alban Ajeti” në Gjilan, ku edhe u gjet droga e përgatitur për shitje.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuari që përfundoi në prangat e Policisë për këtë rast është Behar Rexhepi, rreth 23-vjeçar.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.
“Policia e Kosovës, në vazhdën e luftimit të veprave penale dhe dukurive të tjera negative, pas një pune hetimore dhe operative në terren, me datën 07.11.2024 në Gjilan, pas sigurimit të dëshmive dhe urdhëresës për bastisje, ka realizuar një kontroll/bastisje në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit mashkull kosovar, i cili dyshohet se ka bërë shitblerjen e substancave narkotike në qytetin e Gjilanit.
Gjatë bastisjes së shtëpisë dhe objekteve përcjellëse të personit të dyshuar, në cilësi të provave materiale, janë gjetur dhe janë sekuestruar rreth 632 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, të ndarë për shitje, si dhe një peshore për matjen e narkotikëve.”
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.