Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në koordinim me Prokurorinë Speciale, kanë zhvilluar një aksion të hënën në rajonin e Gjilanit, që rezultoi me arrestimin e një personi të dyshuar për veprimtari të kundërligjshme dhe konfiskimin e një shume të mëdha të parave, raporton Gazeta Sinjali.
Operacioni policor u krye në një lokacion në magjistralen Prishtinë – Gjilan, ku bazuar në një plan taktik, Policia arriti ta ndalojë të dyshuarin, i cili u kap me mbi 100 mijë euro, që dyshohet se janë të falsifikuara.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se personi që po drejtonte veturën ku u gjetën paratë është Skender Sadiku, rreth 50-vjeçar.
Sadiku po lëvizte me një veturë me targa të rajonit të Gjilanit, ndërsa paratë e konfiskuara dyshohet se po tentohej të viheshin në qarkullim në tregun e vendit.
Lidhur me rastin, Policia ka kryer edhe kontroll në shtëpinë e të dyshuarit, ku ia gjetën makinën që shërben për t’i numëruar paratë.
Në total, zyrtarët policorë kanë konfiskuar 100 mijë euro në kartëmonedha nga 200 euro, 5 mijë euro në kartëmonedha nga 100 euro, makinën për numërimin e parave dhe disa telefona.
Pas përfundimit të procedurave policore, me vendim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim prej 1 deri në 10 vjet, ndërsa kushdo që duke ditur se paraja është e falsifikuar merr, vë në qarkullim, transporton, pranon, përdorë ose posedon paranë e falsifikuar me qëllim që ta vë në qarkullim si të vërtetë, dënohet me burgim prej 1 deri në 8 vjet.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.