Një aksion i Antidrogës në Pejë i zhvilluar të martën në mbrëmje ka rezultuar me arrestimin e një personi të dyshuar për shitblerje të drogës dhe sekuestrimin e një sasie të heroinës, kokainës e substancave të tjera. Gjatë operacionit u krye bastisje në një shtëpi banimi, ku edhe u kap i dyshuari, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se personi i dyshuar lidhur me këtë rast është Valon Radoniqi, i cili përfundoi në pranga të Policisë.
Prokurori i Krimeve të Rënda ka urdhëruar masën e ndalimit policor ndaj tij dhe inicimin e hetimit për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se te i dyshuari është kapur një sasi e heroinës, e kokainës, metadon, marihuanë, telefona dhe para të gatshme – që u sekuestruan si prova materiale.
I dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku edhe është intervistuar lidhur me rastin.
Lajmin e kanë konfirmuar për Sinjalin edhe nga Policia Rajonale në Pejë.
“Është arrestuar i dyshuari kosovar, pasi gjatë kontrollit në një shtëpi banimi janë gjetur dhe konfiskuar substanca të dyshuara narkotike: 17.2 gramë heroinë, 3.7 gramë marihuanë, 1.2 gramë kokainë, një shishe qelqi e mbushur me substancë të dyshuar narkotike në gjendje të lëngët-metadon, një grinder, një peshore digjitale, dy telefona celular dhe para të gatshme 62.20 €. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.”
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.