Gazeta Sinjali raportoi sot për tentim vrasjen në fshatin Surkish të Podujevës, ku ndodhi incidenti dhe për pasojë një 33-vjeçar pësoi lëndime të rënda trupore. I riu dyshohet se është goditur me një mjet të fortë nga një person që akoma s’ka rënë në prangat e Policisë.
Rasti tashmë po hetohet si “Vrasje në tentativë” dhe personi i dyshuar është shpallur në kërkim.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i riu që po dyshohet lidhur me këtë rast është Gezim Xhema, 25-vjeçar – i cili ka ikur nga vendi i ngjarjes.
Por si ndodhi rasti?
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se viktima është goditur me një mjet të fortë nga i dyshuari, pas një mosmarrëveshje që dyshohet se e kanë pasur mes vete.
Për pasojë, i riu ka pësuar lëndime të rënda në kokë, për çka është dërguar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të trajtim mjekësor.
Ndërkohë, në vendin e ngjarjes, njësitet policore kanë kryer ekzaminimet e nevojshme – ku kanë gjetur edhe automjetin e viktimës me njolla gjaku.
Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, i dyshuari është identifikuar dhe kanë nisur hetimet ndaj tij.
Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit dhe zbardhjen e rrethanave në të cilat ka ndodhur ngjarja.
Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.